Raportuesi i përhershëm i Shqipërisë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder kërkon debat politik nga foltorja e parlamentit por jo përshkallëzim të situatave nëpërmjet kaosit.
Në një konferencë për mediat pas vizitës vjetore dhe takimeve me aktorët politik, ai theksoi se zgjidhja e vetme është miratimi i reformave të kërkuara nëpërmjet konsensusit.
“Këtu nuk është çështja për mendimin tim personal, ne si PE, mendojmë që ka ardhur koha që kultura politike në Shqipëri të bëj një hap para, të mos dramatizohet çdo gjë, të mos fillohet me molotovë, por të luftohet fort me argumente në skenën politike aty ku duhet. Kjo vlen edhe për opozitën edhe për qeverinë. Shqipëria kë vendosur ti përkushtohet reformave, sidomos për luftën kundër krimit të organizuar. Arena politike, duhet të bëjë të pamundurën që të ketë komunikim të duhur për mënyrën se ku është Shqipëria tani dhe se ku do arrijë në të ardhmen”.
Schieder gjithashtu vuri theksin tek puna e drejtësisë së re. Sipas raportuesit të Parlamentit Europian të gjithë aktorët e përfshirë duhet të mbështesin punën e SPAK, ndërsa u shpreh i qartë se PE nuk komenton çështje specifike.
“Më duhet të them që së pari parlamenti evropian nuk komenton çështje ligjore dhe mendoj që gjithashtu është standard i mirë që institucionet të kryejnë punën e tyre, në këtë rast SPAK dhe të tjerët duhet të bëjnë punën e tyre me gjetjet e tyre ashtu siç e mendojnë ato që është e nevojshme. Të gjitha institucionet duhet të mbështesin punën e SPAK. Nuk është për Parlamentin Evropian për të bërë komente specifike.”
Sipas Schieder, Shqipëria do të vazhdojë të jetë “pararojë” në procesin e zgjerimit, por paralajmëroi se miratimi i ligjeve nuk duhet bërë thjesht për të kënaqur Brukselin.
/vizionplus.tv





