Itali – Një 46-vjeçar me origjinë shqiptare, Ismail Picari, është arrestuar. Ai akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë, pasi më 19 gusht hodhi makinën me shpejtësi në kanalin e portit të Cattolica-s, ndërsa në automjet ndodhej edhe bashkëshortja e tij 40-vjeçare.
Ngjarja ndodhi në orët e para të pasdites, kur makina tip Volkswagen Golf përfundoi në ujë. Dy persona që ndodheshin pranë portit panë momentin kur automjeti hyri në kanal dhe u hodhën menjëherë në ujë. Ata arritën të shpëtonin çiftin.
Sipas dëshmive, gruaja, e cila nuk di të notojë, arriti të hapte bagazhin e makinës duke e goditur me grushte. Ajo doli nga automjeti e tronditur dhe me dëmtime, ndërsa bashkëshorti i saj u largua menjëherë nga vendngjarja.
Vetëm dy ditë para incidentit në port, Picari ishte arrestuar nga karabinierët pas një konflikti në banesën e tyre.
Sipas hetuesve, ai kishte sulmuar bashkëshorten dhe kishte kundërshtuar efektivët.
Megjithatë ai ishte liruar po atë ditë.
Vajza: E kishte dhunuar mamanë edhe më parë
Në dëshminë e saj, vajza e çiftit ka treguar se babai i saj kishte ushtruar dhunë ndaj nënës edhe gjatë javëve të fundit. Ajo ishte njoftuar për ngjarjen dhe kishte shkuar në port, ku gjeti nënën duke marrë ndihmën e ekipeve të urgjencës.
Sipas dëshmive të mbledhura nga karabinierët, gruaja ka deklaruar se bashkëshorti “i kishte vënë duart në fyt”.
Para incidentit, çifti dyshohet se kishte pasur një debat. Sipas dëshmisë së vajzës, Picari i kishte kërkuar bashkëshortes ta shoqëronte në bankë për të ndarë llogaritë bankare.
Më pas mes tyre kishte nisur një debat, i cili, sipas dyshimeve të hetuesve, përfundoi me makinën që u hodh në kanal.
Pas disa orësh në arrati, 46-vjeçari u lokalizua dhe u arrestua. Ai ndodhet në burg me masë sigurie, ndërsa Prokuroria vijon hetimet.





