Babë e bir janë arrestuar nga Policia e Lushnjës në kuadër të operacionit të koduar “Fokusi”, pas zbulimit të një arme zjarri kallashnikov, municionit luftarak dhe lëndës narkotike kokainë.
Në pranga kanë rënë Shkëlqim Hajdari, 56 vjeç, dhe Hasan Hajdari, 24 vjeç, banues në fshatin Hajdaraj të Lushnjës.
Sipas Policisë, 24-vjeçari u ndalua në qytetin e Lushnjës teksa drejtonte automjetin. Gjatë kontrollit fizik, atij iu gjetën doza të dyshuara kokaine.
Kontrollet vijuan në banesën e familjes, ku efektivët gjetën një armë zjarri kallashnikov dhe një krehër me municion luftarak, që dyshohet se i posedonte 56-vjeçari.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan kallashnikovi, municioni, sasia e kokainës dhe automjeti.
Policia bën me dije se kontrollet do të vijojnë në të gjithë qarkun e Fierit, me qëllim evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale.





