Vlorë – Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë zonën mbi fshatin Dukat, ndërsa dyshimet paraprake janë se flakët mund të jenë shkaktuar qëllimisht.
Zjarri është konstatuar rreth orës 19:00 të mbrëmjes së djeshme, fillimisht në katër vatra. Gjatë natës, flakët janë përhapur në një sipërfaqe të konsiderueshme, duke avancuar në drejtim të malit të Çikës.
Forcat zjarrfikëse kanë mbërritur në terren rreth orës 04:00 të mëngjesit dhe kanë nisur menjëherë operacionin për vënien nën kontroll të situatës. Në ndihmë të tyre janë angazhuar edhe rreth 40 efektivë të Forcave të Armatosura, nën drejtimin e strukturave të Emergjencave Civile.
Aktualisht, forcat në terren po punojnë për izolimin e vatrave të zjarrit dhe frenimin e përhapjes së mëtejshme. Terreni i vështirë malor e bën ndërhyrjen veçanërisht të komplikuar, ndaj operacioni pritet të vijojë për disa orë.
Kushtet atmosferike janë aktualisht në favor të operacionit, pasi era nuk është e fortë dhe nuk po ndihmon përhapjen e flakëve.
Zjarri vijon të mbahet nën monitorim nga forcat zjarrfikëse dhe ushtria, ndërsa synimi kryesor mbetet izolimi i plotë i vatrave dhe parandalimi i avancimit të flakëve drejt zonave të tjera.





