Situata nga zjarret vijon të jetë problematike në vendin tonë për shkak se aktivizohen në zona të ndryshme edhe pse janë fikur nga autoritetet.
Ndonëse deri tani nuk ka autor të zjarrvënieve, dyshohet se ato janë të qëllimshme.
Tre vatra zjarri u aktivizuan këtë të premte në harkun kohor të 10 minutave në masivin pyjor me dushqe në lagjen “Grege” të fshatit Kujtim në Bashkinë e Klosit.
Sipas dëshmitarëve të tre zjarret janë ndezur shumë pranë në kohë me njëri – tjetrin, duke bërë që të lindin dyshimet për zjarrvënie të qëllimshme.
Menjëherë në vendin e ngjarjes ka mbërritur shërbimi Zjarrfikës i Bashkisë Klos, por mungesa e një rruge ka bërë që automjeti zjarrfikës të mos i afrohej vatrave të zjarrit.
Zjarrfikësit po punojnë me mjete të tjera për të mos lejuar përhapjen e mëtejshme të flakëve që ndihmohen nga temperaturat e larta dhe era.
Situata është problematike në këtë masiv pyjor për shkak të dendësisë së madhe të pemëve të lisit.
Sakaq, për këto zjarre është njoftuar edhe policia e cila pritet të nisë hetimet për gjetjen e autorit/rëve të dyshuar për zjarrëvënie.
/vizionplus.tv





