Panik në avion! Pasagjeri i dehur me thikë kuzhine në bord, ndërhyjnë autoritetet

Momente paniku janë përjetuar në bordin e një avioni të kompanisë easyJet, i cili po udhëtonte nga Islanda drejt Milanos, pasi një pasagjer i dehur u konstatua me një thikë kuzhine në duar.
Sjellja e tij shqetësoi udhëtarët dhe ekuipazhin, duke detyruar pilotët të njoftonin autoritetet italiane përpara uljes në aeroportin Malpensa.
Pak para uljes në Milano, pilotët njoftuan kontrollin e trafikut ajror për incidentin dhe kërkuan që policia të ishte e pranishme në aeroport pas mbërritjes së avionit. Ekuipazhi arriti ta menaxhonte situatën gjatë fluturimit, ndërsa avioni u ul pa probleme në aeroportin Malpensa, ku e prisnin autoritetet italiane.
Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar dhe as për pengesa në funksionimin e aeroportit.
Kompania, në reagimin e saj, theksoi se nuk toleron sjellje të tilla në bord dhe se siguria e pasagjerëve dhe ekuipazhit mbetet përparësia kryesore.
Ndërkohë, mbeten ende të paqarta rrethanat se si pasagjeri arriti të hipte në avion duke pasur me vete një thikë.




