Është ekstraduar nga Greqia 36-vjeçari Florian Vuka pasi Gjykata e Posaçme në prill të këtij vitit, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Ai dyshohet se ka kryer trafik ndërkombëtar kokaine në bashkëpunim me Jetmir Pepën.
SPAK ka dokumentuar gjatë viteve 2019–2021 në Amerikën Latine, Belgjikë dhe Holandë 8 episode të trafikut të kokainës në sasi të mëdha.
Episodi i parë, gjatë periudhës janar-mars 2020, lidhet me trafikimin e një sasie të konsiderueshme kokaine, nga e cila më 21 mars 2020 u sekuestruan 8.5 kg në Amsterdam, Holandë.
Episodi i dytë, më 7-8 prill 2020, lidhet me trafikimin e 1,018 kg kokainë nga Peruja drejt portit të Roterdamit. Droga ishte fshehur në një kontenier frigoriferik me lëng frutash të ngrira dhe vlera e shitjes llogaritej mbi 1.3 milionë euro.
Episodi i tretë, më 6 qershor 2020, lidhet me trafikimin e 2,020 kg kokainë nga Ekuadori drejt portit të Roterdamit. Ngarkesa kishte mbërritur nga porti i Guayaquil dhe ishte destinuar për një kompani në Hungari, ndërsa një pjesë e saj dyshohet se i përkiste grupit kriminal.
Episodi i katërt, më 26 qershor 2020, lidhet me tentativën për trafikimin e 516 kg kokainë, e cila u sekuestrua në terminalin portual Muelle Sur, DP World Callao, në Peru. Ngarkesa ishte e destinuar për Holandën.
Episodi i pestë, më 30 qershor 2020, lidhet me trafikimin e 500 kg kokainë, e sekuestruar në portin e Roterdamit. Lënda narkotike ishte fshehur në një kontenier nga Kolumbia, i cili përmbante konserva me peshk ton dhe ishte destinuar për një kompani në Gjermani.
Episodi i gjashtë, më 7 gusht 2020, lidhet me trafikimin e rreth 1,600 kg kokainë, nga e cila 104 kg u sekuestruan në të njëjtën datë në autostradën A2, pranë Abcoude në Holandë.
Episodi i shtatë, më 16 gusht 2020, lidhet me trafikimin e rreth 1,238.39 kg kokainë, të ndarë në rreth 1,100 pako. Droga ishte fshehur në një ngarkesë me banane që vinte nga Ekuadori drejt portit të Roterdamit dhe ishte destinuar për një kompani në Hagë.
Episodi i tetë, gjatë datave 1-2 tetor 2020, lidhet me trafikimin e 531 kg kokainë në portin e Roterdamit. Lënda narkotike u sekuestrua nga autoritetet holandeze pasi ishte fshehur në një kontenier me rrush të thatë, të destinuar për Suedinë.
Në kuadër të këtij hetimi, SPAK ka vendosur gjithashtu sekuestro preventive ndaj 232 pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, me një vlerë totale rreth 12 milionë euro që për burim parash dyshohet se kanë patur aktivitetin e paligjshëm.





