Një 33-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane është arrestuar në Durrës me qëllim ekstradimin drejt Italisë.
Policia njofton se operacioni i koduar “Next” u finalizua pas koordinimit informativ dhe operacional me homologët italianë, përmes Interpol Tiranës. Në kuadër të operacionit, specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës lokalizuan dhe arrestuan shtetasin M. T., banues në Shijak.
33-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata Penale e Breshias kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”. Ai akuzohet për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Pjesëmarrja në organizatë kriminale”, si pjesëtar i një grupi që dyshohet se merrej me trafikimin e lëndëve narkotike.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet italiane, vijon procedurat për ekstradimin e tij drejt Italisë.
/vizionplus.tv





