Presidenti iranian Masoud Pezeshkian ka deklaruar se ka ardhur koha për t’i dhënë fund luftës disamujore me Shtetet e Bashkuara, duke pretenduar se Teherani ndodhet në një pozicion të favorshëm.
“Është më mirë që ta përfundojmë luftën tani, pasi jemi në një pozicion pushteti dhe dinjiteti”, u shpreh Pezeshkian.
Presidenti iranian pretendoi se “e gjithë bota e pranon fitoren tonë”, ndërsa akuzoi SHBA-në për sulme ndaj shkollave, spitaleve dhe infrastrukturës iraniane. Sipas tij, këto veprime kanë shkelur rregullat ndërkombëtare.
Në të njëjtën kohë, Ministria e Jashtme iraniane ka intensifikuar kritikat ndaj Uashingtonit, duke e akuzuar për “terrorizëm ekonomik”, pas paralajmërimit të SHBA-së për zgjerimin e sanksioneve ndaj Iranit.
Uashingtoni u ka bërë thirrje edhe vendeve të tjera, përfshirë Kinën, që t’i bashkohen përpjekjeve për të rritur presionin dhe izolimin ekonomik të Teheranit.
Irani është përballur prej vitesh me sanksione të gjera perëndimore, por ka krijuar mënyra të ndryshme për t’i anashkaluar ato, përfshirë rritjen e prodhimit vendas, përdorimin e rrjeteve informale të tregtisë dhe sigurimin e mallrave përmes vendeve të treta. Teherani ka përdorur gjithashtu një flotë në hije për transportin e naftës.
/vizionplus.tv





