Ministria e Mbrojtjes bën me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 32 vatra zjarri në të gjithë vendin. Prej tyre, 6 vatra mbeten aktive, ndërsa 4 të tjera janë nën mbikëqyrje.
Gjatë operacioneve të ditës së djeshme janë angazhuar 726 forca operacionale dhe 44 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë mbështetur ndërhyrjet me 270 efektivë, 5 automjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.
Gojan–Gjegjan, Pukë
Në zonën Gojan–Gjegjan vijon operacioni i përforcuar me 190 forca në terren. Në operacion janë angazhuar 32 efektivë të MZSH-së me 7 mjete zjarrfikëse, 13 punonjës të shërbimit pyjor, 60 punonjës të shërbimeve vendore, 45 vullnetarë dhe banorë të zonës, si dhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura.
Në mbështetje të operacionit janë edhe një ekskavator, një mjet zjarrfikës dhe dy helikopterë të Forcave të Armatosura.
Tenë, Mirditë
Në Tenë të Mirditës operacioni vijon me 30 efektivë të Forcave të Armatosura, mjete zjarrfikëse të FA-së dhe Bashkisë Mirditë, si dhe forca të shërbimit pyjor dhe strukturave vendore.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, aktualisht nuk ka rrezik për banesat.
Dukat, Vlorë
Në Dukat, vatra vijon të jetë aktive, por me intensitet të ulët. Në terren operojnë 77 forca, përfshirë 10 efektivë të MZSH-së, 12 forca të Njësisë Administrative Orikum dhe 55 efektivë të Forcave të Armatosura.
Edhe në këtë zonë nuk raportohen rreziqe për banesat.
Mali i Dajtit, Tiranë
Në Malin e Dajtit një pjesë e vatrave është izoluar plotësisht. Ndërkohë, ndërhyrja vijon në vatrat e mbetura, ku janë angazhuar 30 efektivë të Forcave të Armatosura.
Autoritetet bëjnë me dije se nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Bërshi, Klos
Në Bërshi të Klosit, pas vënies nën kontroll të zjarrit, gjatë natës janë riaktivizuar disa vatra për shkak të erës. Në operacion janë angazhuar 85 forca, mes tyre 30 efektivë të Forcave të Armatosura, si dhe mjete zjarrfikëse.
Shtuf, Mirditë
Në Shtuf të Mirditës, vatra mbetet aktive dhe ndërhyrja vijon në zonat ku terreni e mundëson. Pjesët e thepisura të terrenit po vështirësojnë përdorimin e mjeteve zjarrfikëse dhe ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të forcave në terren.
Autoritetet vijojnë monitorimin dhe ndërhyrjen në të gjitha zonat aktive, me prioritet mbrojtjen e banesave dhe jetës së qytetarëve, si dhe izolimin e plotë të vatrave të zjarrit.





