Dronët rusë goditën një qendër të frekuentuar tregtare në qytetin lindor Krivji Rih të premten pasdite, duke vrarë të paktën pesë persona dhe plagosur dhjetëra të tjerë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e dënoi sulmin duke e cilësuar si “cinik dhe të neveritshëm”.
Videot e publikuara në rrjetet sociale shfaqën ekipet e shpëtimit duke ngarendur për t’iu dalë në ndihmë të plagosurve që gjendeshin në rrugën jashtë qendrës, ndërsa nga ndërtesa dilte tym.
Më pas, rreth gjysmë ore më vonë, një dron i dytë goditi çatinë e ndërtesës – një sulm që “shënjestroi ekipet e emergjencës”, tha Zelensky.
“Deri tani, janë raportuar pesë viktima”, shtoi ai.
Oleksandr Ganzha, kreu i administratës ushtarake të rajonit të Dnipropetrovskut, tha se 91 persona të tjerë ishin plagosur, 21 prej tyre rëndë.
Dyqanet brenda qendrës tregtare janë përfshirë nga zjarri, shtoi ai.
Krivji Rih, qyteti i lindjes së presidentit Zelensky, është përballur me sulme të vazhdueshme ruse gjatë gjithë luftës.
Qyteti industrial ndodhet rreth 60 kilometra larg nga vija e frontit.
Rusia ka intensifikuar bombardimet ndaj qyteteve ukrainase gjatë muajve të fundit.
Kombet e Bashkuara raportuan se numri i civilëve të vrarë në vitin 2026 ishte rritur në nivelin më të lartë që nga muajt e parë të luftës, që nisi në shkurt të vitit 2022.
Zelensky u bëri thirrje aleatëve të Ukrainës për përgjigje të fuqishme ndaj këtij sulmi.
“Bota duhet t’u përgjigjet atyre në përputhje me rrethanat, me presion real ndaj agresorit. Që paqja të jetë e mundur, Rusia duhet të përballet me përgjegjësi reale”, tha ai.
Vendet aleate të Ukrainës do të takohen të hënën për të rikonfirmuar mbështetjen për Kievin, teksa bisedimet do të zhvillohen në Ditën e Pavarësisë së Ukrainës, njoftoi të premten zyra e presidentit francez, Emmanuel Macron./rel





