Detaje të reja janë bërë të ditura lidhur me vrasjen e turistit portugez 20-vjeçar, Luís Miguel Varela Mendes, në Ksamil. Sipas mediave portugeze, miqtë e viktimës kanë deklaruar para policisë se gjithçka nisi pasi i riu ndërhyri për të ndaluar ngacmimin e një gruaje në një ambient publik.
Sipas dëshmisë së tyre, grupi i turistëve portugezë kishte hasur një grua që po ngacmohej dhe Mendes ishte i pari që tentoi të ndërhynte për ta ndaluar situatën. Sokrat Vata, i dyshuari kryesor për vrasjen, dyshohet se ishte pjesë e grupit që po shqetësonte gruan.
Përplasja mes dy grupeve vijoi edhe më pas, deri në radhën e hyrjes në një resort në Ksamil. Pikërisht aty, sipas dyshimeve të policisë, ndodhi përleshja që përfundoi me goditjen disa herë me thikë të 21-vjeçarit portugez.
Miqtë e viktimës kanë dhënë dëshminë e tyre para autoriteteve shqiptare, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur të plotë rrethanat dhe motivin e ngjarjes së rëndë.
/vizionplus.tv





