Një 62-vjeçar është arrestuar në flagrancë në Mirditë, pasi u kap duke ndezur zjarr në fshatin Rraja e Valës. Sipas Policisë, gjatë ditëve të fundit ai dyshohet se ka ndezur edhe pesë vatra të tjera zjarri.
Arrestimi i shtetasit me inicialet A. D., banues në Rraja e Valës, u krye në kuadër të operacionit policor të koduar “Piromani 2”, pas një pune gjurmuese 48-orëshe dhe monitorimit në terren me dron.
Policia bën me dije se ndaj 62-vjeçarit rëndojnë akuzat për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.
Nga hetimet paraprake është dokumentuar se zjarret e ndezura dyshohet se kanë përfshirë një sipërfaqe prej rreth 15 hektarësh. Shërbimet zjarrfikëse dhe ato të Policisë vijojnë punën për izolimin dhe shuarjen e plotë të vatrave.
Nga verifikimet rezulton gjithashtu se 62-vjeçari ka precedent të mëparshëm për zjarrvënie të qëllimshme.
Ndërkohë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mirditë, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijojnë hetimet për të dokumentuar plotësisht aktivitetin e tij dhe për të verifikuar nëse ka lidhje edhe me raste të tjera zjarrvëniesh në territorin e Bashkisë Mirditë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
/vizionplus.tv





