Kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, ka reaguar pas incidentit në Pustec, ku gjatë një aktiviteti me pjesëmarrjen e homologut të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, u ekzekutua vetëm himni maqedonas dhe jo Himni Kombëtar Shqiptar.
Rama vlerësoi kryebashkiakun e Pustecit, Pali Kolefski, i cili kishte kërkuar paraprakisht që të luhej edhe himni shqiptar, por kërkesa e tij ishte injoruar. Ai e cilësoi Kolefskin “shtetar dhe qytetar të denjë të Shqipërisë Europiane”.
Kryeministri e cilësoi ngjarjen si “një parodi domethënëse” të nacionalizmit ballkanik, duke theksuar se Shqipëria dhe Europa e Ballkanit nuk duhet të bien në nivele të tilla reagimesh.
Edi Rama: Ajo që ndodhi në Pustec është një parodi domethënëse për botëkuptimet tona të ndryshme në këtë lagje të Europës. Kryetari i Bashkisë së Pustecit, Pali Kolefski, kërkoi paraprakisht që të luhej edhe himni shqiptar. U injorua dhe më pas kërkoi ndjesë për një faj që nuk ishte i tij. U tregua një shtetar dhe qytetar i denjë i Shqipërisë Europiane, në nder të vetes dhe të komunitetit të tij maqedonoverior, të cilit i duam vetëm më të mirën.
Rama theksoi rëndësinë që Shqipëria i kushton të drejtave të minoriteteve dhe bashkëjetesës mes komuniteteve. Ai kritikoi ndërhyrjet që, sipas tij, ushqejnë nacionalizmin ballkanik dhe synojnë të ndikojnë në ekuilibrat politikë brenda Shqipërisë.
Edi Rama: Ne e kemi nderuar edhe atë komunitet të vockël me një status të posaçëm si bashki më vete, pikërisht sepse për Shqipërinë minoritetet nuk janë statistikë, por pasuri kombëtare, dhe qytetarët minoritarë nuk janë numra, por vëllezër e motra me të njëjtat liri dhe të drejta si të gjithë ne. Tani, kjo ardhja e herëpashershme në territorin tonë e trupave të cirkut të nacional-folklorizmit ballkanik, herë nga një vend, herë nga një tjetër e herë nga një tjetër akoma, nuk se na shqetëson për vete, për sovranitetin e Shqipërisë jo e jo, por as për ekuilibrat e jetës politike këtu brenda, ku nuk ka mushkë Troje të rritur në kodrat tona apo “diasporë” të eksportuar nga brenda lagjes sonë që na lëkund.
Rama e mbylli reagimin e tij me një apel për të mos iu përgjigjur provokimeve nacionaliste me të njëjtën monedhë. Ai theksoi se Shqipëria dhe Europa e Ballkanit nuk duhet të lejojnë që vlerat e tyre të bien “në nivelet e parodisë së Pustecit”.
Edi Rama: Gjithsesi, u shpreh sot një keqardhje të sinqertë për të gjithë sponsorëve të këtij cirku të lashtë flamujsh në epokën e Inteligjencës Artificiale, ndërsa mëmëdhetarëve mes nesh që në kësi rastesh hidhen përpjetë përpara pasqyrave të tyre digjitale, duke kërkuar përgjigje me të njëjtën monedhë, u them: Jo, Shqipëria, Europa e Ballkanit, kurrsesi nuk mund t’ia lejojë dhe nuk do t’ia lejojë vetes ta zbresë monedhën e vlerave të saj në nivelet e parodisë së Pustecit.






