Subscribe

Qeveria ka finalizuar procesin e emetimit të një eurobondi, i gjashti i realizuar, në shumën 600 mln euro. Ky borxh i ri u mor për një periudhë 5-vjeçare në tregjet ndërkombëtare, ndërsa të dhënat paraprake flasin se shuma e ofruar nga investitorët ishte edhe më e madhe se kërkesa e qeverisë shqiptare. Ndërsa norma e interesit arriti në 6.1% më e madhe në vitet e fundit, apo dy-fish më shumë se eurobondi i vitit 2021.

 

Kjo situatë ishte e pritshme, pasi normat e interesit janë rritur në tregjet ndërkombëtare dhe pritet të rriten, edhe më tej.

 

Për të shmangur huamarrjen me kosto edhe më të lartë, qeveria vendosi që të marrë 100 mln euro borxh më shumë, se plani fillestar i parashikuar në buxhet.

 

Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, e pyetur për këtë transaksion nuk dha shpjegime, pasi sipas saj, i gjithë procesi pritet të përmbyllet brenda javës, por kjo huamarrje ndihmon qeverinë për më shumë likuiditet.

 

Sipas eksperiencës së viteve të kaluara, një pjesë e këtyre parave do të përdoren për të mbyllur eurobondet e mëparshme, ndërsa pjesa tjetër për të financuar deficitin buxhetor.

 

Marrja e një borxhi të ri në masën 600 milionë euro pritet të ketë ndikim edhe në tregun financiar vendas, veçanërisht në kursin e këmbimit euro-lekë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *