Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi se opozita do të bëjë çdo përpjekje kundër hartës territoriale të propozuar nga mazhoranca socialiste me 46 bashki. Në një konferencë me gazetarët Berisha citoi qëndrimin e Kongresit të Autoriteteve Rajonale e Lokale një ditë më parë, duke theksuar se qytetarët duhet të vendosin me referendum për fatin e bashkive ku jetojnë
“Ka një zhvillim shumë pozitiv në këtë aspekt. Qëndrimi i qartë publik i Kongresit të Autoriteteve Rajonale e Lokale lidhur me ndryshimet e hartës së njësive territoriale në Shqipëri, përcaktohet se karta e këtij Kongresi, e firmosur nga Shqipëria, detyron referendumet, detyron konsultimet”, tha Berisha.
Sipas Berishës, shkrirja e 15 bashkive i shërben vetëm një qëllimi, përqëndrimit të pushtetit në dorën e Kryeministrit.
“Edi Rama nuk pyet për asgjë, ai njeh vetëm interesin e karriges së tij dhe të pushtetit të tij të pakufishëm, i cili po shkon drejt një fundi të turpshëm dhe plotësisht të merituar për të”, tha Berisha.
Gjatë komunikimit me gazetarët, Berisha deklaroi se ka parë një sondazh të brendshëm të PS duke pretenduar se mbështetja e mazhorancës tek qytetarët ka rënë
“Partia e krimit është rrokullisur në shifrat e saj në 29 përqind. Edi Rama vetë qëndron nën partinë. Se atyre u thotë u tërheq unë. Është thirrur për emergjencë Aleks Soros. Po se çfarë mund t’i bëjë një kufome të pakallur, le ta shohin”, shtoi ai.
Berisha paralajmëroi se me përfundimin e pushimeve, vjeshta do të shënojë zhvillime të reja politike kundër qeverisë.





