Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, është rikthyer në sallën e Kuvendit, ku në një prononcim për media ka komentuar tensionet e krijuara gjatë vizitës së përfaqësuesve të emigrantëve në Kuvend.
Ajo tha se ata kishin kërkuar ta vizitonin sallën plenare dhe kritikoi opozitën për reagimin ndaj tyre.
“Nuk është konferencë e imja. Unë prita mërgatën në zyrën time, por bashkatdhetarët tanë kërkuan që ta vizitojnë sallën dhe prandaj vlerësuan të rëndësishme që të vijnë dhe ta shohin sallën plenare. Gjithmonë duke vlerësuar që opozita e lejon mërgatën që ta vizitojë Kuvendin e Republikës së Kosovës. Por, siç po e shihni, opozita i proteston edhe mërgatës, opozita i proteston edhe të rinjve tanë. Por kur s’ka kauzë, vazhdojnë me veprime të tilla, të cilat janë të pajustifikueshme. Mua më vjen keq, sepse të hënën, të martën dhe të mërkurën janë ditët që Kuvendi ka hapur për mërgatën tonë, por ja që opozita po tenton të bëjë veprime të tilla vetëm që të pengojë aktivitetet e Republikës së Kosovës”, u shpreh Haxhiu.
E pyetur nëse ka pasur takim mes kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, Haxhiu tha se Kurti vazhdimisht ka bërë ftesa për opozitën.
Ajo ka përsëritur se seancë do të ketë, porse, siç ka shtuar, paraprakisht duhet të ketë marrëveshje.
“Kryetari Kurti, Kryeministri i vendit, vazhdimisht ka bërë ftesa për opozitën. Ai u përball së pari me refuzime të takimeve nga ana e PDK-së dhe AAK-së dhe, në anën tjetër, me kërkesa të cilat janë në shpërputhje me fuqinë politike, siç janë kërkesat e LDK-së, të cilët insistojnë që Kuvendi të jetë nga radhët e tyre. Prandaj, seancë do të ketë, por paraprakisht do të ketë marrëveshje, sepse çfarëdo konstituimi i Kuvendit çon në situatën e rrjedhjes së afateve. Nuk duhet që të shkojmë në zgjedhje, por duhet të bëjmë përpjekje maksimale për ta pasur një marrëveshje që e zgjedh Presidentin me mandat pesëvjeçar”, u shpreh Haxhiu.





