Edhe pse ende jo zyrtare, duke filluar nga 3 shtatori, Shqipëria nuk do të importojë më mish viçi dhe shpendësh nga Brazili, i cili është vendi kryesor i furnizimit për këtë kategori produktesh në tregun shqiptar. Kjo masë vjen si pjesë e përafrimit të direktivave shqiptare me ato të Bashkimit Europian, në kuadër të Kapitullit 12.
“Ky është një vendim që rrit standardet e sigurisë ushqimore, por edhe të cilësisë. Jo sepse mishi i Brazilit domosdoshmërisht ka qenë i pasigurt, por sepse një mish më i freskët është më cilësor. Nga ana tjetër, kjo lëvizje i jep një frymëmarrje edhe prodhimit vendas”, tha eksperti për sigurinë ushqimore.
Vendim vjen pas shqetësimeve lidhur me përdorimin e disa medikamenteve dhe praktikave që përdoren në Brazil për rritjen artificiale të masës muskulore te kafshët dhe shpendët.
“Rregullorja e fundit e Bashkimit Europian lidhur me importimin e mishit nga Brazili lidhet me disa mikroorganizma që prekin kafshët në Brazil. Është konstatuar se ato nuk janë të mira për shëndetin e shpendëve. Megjithëse jo zyrtarisht, bëhet fjalë edhe për disa medikamente që u jepen gjedhëve dhe shpendëve për të shtuar peshën dhe masën muskulore, që konsiderohet e rrezikshme për shëndetin e njerëzve”, shtoi ai.
Sipas të dhënave nga INSTAT, përgjatë vitit të kaluar, vendi ka importuar nga Brazili më shumë se 13 mijë tonë mish dhe të brendshme, duke e bërë atë një nga furnizuesit kryesorë të tregut shqiptar. Me ndërprerjen e furnizimit, pritet që masa të ketë ndikim edhe në çmimet e produkteve të mishit.
“Patjetër që kjo do të reflektohet edhe në çmime, kryesisht te çmimi i mishit të viçit. Krahasuar me derrin apo pulën, mishi i viçit është në sasi më të vogla që importohet në Shqipëri nga Brazili, sepse ne importojmë edhe kafshë të gjalla, të cilat theren në vend. Në shumë raste ka edhe futje kontrabandë. Megjithatë, importet e mishit nga Brazili përdoren zakonisht në vend në sektorin e përpunimit, kryesisht në sallameri”, tha eksperti.
Ndërkohë, importuesit shqiptarë kanë nisur të shohin drejt tregjeve të tjera për furnizimin me produkte shtazore, kryesisht në vendet e Amerikës Latine, por edhe në tregjet europiane.





