Një vajzë 3-vjeçare ka humbur jetën në shtetin e Floridës, SHBA, pasi i mbeti koka e bllokuar në një lodër druri në formë kuzhine, duke pësuar asfiksi. Ngjarja tragjike ndodhi muajin e kaluar në Boynton Beach, ndërsa autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat.
Sipas Policisë së Boynton Beach, vogëlushja dhe vëllai i saj ndodheshin në shtëpinë e një kujdestareje, por në momentin e incidentit ishin nën mbikëqyrjen e bashkëshortit të saj, pasi kujdestarja ishte larguar nga banesa.
Autoritetet bëjnë të ditur se bashkëshorti i kujdestares kishte qëndruar në katin e sipërm të shtëpisë, ndërsa fëmijët luanin në katin përdhes. Ai zbriste herë pas here për t’i kontrolluar dhe për t’u dhënë ushqime.
Kur zbriti për t’i parë sërish, ai gjeti 3-vjeçaren me kokën e bllokuar në një lodër kuzhine prej druri.
Sipas dëshmisë së fëmijës tjetër, disa lodra kishin rënë brenda strukturës së kuzhinës së lodrës dhe 3-vjeçarja ishte përpjekur t’i merrte, por kishte mbetur e bllokuar.
Në momentin kur u gjet, vogëlushja nuk merrte më frymë. Bashkëshorti i kujdestares e nxori menjëherë dhe nisi t’i jepte ndihmën e parë, derisa në vendngjarje mbërritën ekipet e emergjencës.
Fëmija u transportua në spital në gjendje kritike, por ndërroi jetë. Policia konfirmoi se hetimet janë ende në vijim dhe deri më tani nuk është ngritur asnjë akuzë.
Autoritetet nuk kanë bërë të ditur për sa kohë fëmija kishte mbetur e bllokuar, ndërsa identiteti i saj, si edhe shkaku zyrtar i vdekjes, nuk janë publikuar.
/vizionplus.tv





