Rritja e numrit të automjeteve në Shkodër gjatë sezonit veror ka sjellë ngarkesë të shtuar në disa prej akseve kryesore të qytetit. Rikthimi i emigracionteve së bashku me rritjen e numrit të vizitorëve dhe turistëve e ka bërë të nevojshme një menaxhim më të koordinuar të qarkullimit rrugor.
Për përballimin e kësaj situate, Policia Bashkiake në bashkëpunim me Policinë e Shtetit ka vendosur në zbatim një plan të përbashkët masash.
“Periudha e verës përkon me kthimin e emigrantëve në vendin e tyre kjo sjell një rëndim të trafikut. Prandaj policia ka krijuar një plan të përbashkët masash për të bërë të mundur lehtësimin e lëvizjes. Kërkojmë nga qytetarët bashkëpunim që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor”, tha Saimir Rrustemi, drejtor i policisë bashkiake Shkodër.
Strukturat përgjegjëse vijojnë të jenë të pranishme në terren, duke monitoruar situatën dhe duke ndërhyrë në pikat me ngarkesë më të lartë, me qëllim shmangien e bllokimeve dhe krijimin e një qarkullimi sa më normal për qytetarët, drejtuesit e mjeteve dhe vizitorët.
Autoritetet u bëjnë apel drejtuesve të automjeteve të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe udhëzimet e punonjësve të policisë.





