Pikat e kalimit kufitar të qarkut të Korçës vijojnë të përballen me një fluks në rritje të udhëtarëve që hyjnë dhe dalin nga Shqipëria. Gjatë 24 orëve të fundit, në pikën kufitare të Kapshticës janë regjistruar 5 252 hyrje të shtetasve shqiptarë dhe të huaj, ndërsa 4 658 persona kanë dalë drejt Greqisë.
Autoritetet kufitare bëjnë të ditur se fluksi mbetet i përballueshëm dhe po menaxhohet normalisht nga strukturat shqiptare dhe greke. Megjithatë, në ditët në vijim pritet një rritje e mëtejshme e lëvizjeve, për shkak të kthimit të emigrantëve për pushime në Shqipëri, por edhe të qytetarëve që zgjedhin të kalojnë disa ditë pushimi në Greqi.
“Ishim në Shqipëri dhe tani po kthehemi në Greqi, pamë qetë andej”
“Ne po shkojmë për në Shqipëri, e gjithë Shqipëria është mirë të shkosh, është vendi ynë është e para”.
Edhe pika e kalimit kufitar të Qafë Thanës ka regjistruar lëvizje të shumta gjatë 24 orëve të fundit. Sipas të dhënave zyrtare, në vend kanë hyrë 5 321 shtetas, ndërsa 4 799 të tjerë kanë dalë drejt Maqedonisë së Veriut.
Statistikat e katër ditëve të para të muajit gusht tregojnë për një intensifikim të ndjeshëm të lëvizjeve kufitare.





