Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se vendi I tij nuk e ka pranuar planin e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara për Gazën.
“Presidenti Trump dhe ekipi i tij mendojnë se mund ta detyrojnë Hamasin të çarmatoset dhe të demilitarizojë Gazën. Ne po e shqyrtojmë këtë. Ata na dërguan një draft. Ne nuk ramë dakord me të, nuk ishte drafti ynë. Ne u dërguam atyre komentet tona. Rastësisht, ne i dërguam komentet tona para fushatës mediatike mbi këtë çështje. Ky është qëndrimi ynë. Ne qëndrojmë të vendosur në mbrojtjen e interesave tona, si me mençuri ashtu edhe me vendosmëri, mendoj unë”, tha Netanyahu.
Ai theksoi se çdo tërheqje e ushtrisë izraelite nga territori palestinez duhet të ndodhë vetëm pas çarmatimit të plotë të Hamasit.
“Unë qëndroj i vendosur në mbrojtjen e interesave tona të sigurisë. Ne nuk do të tërhiqemi nga linjat tona aktuale derisa Hamasi të çarmatoset plotësisht. Kjo është e para. Së dyti, ne kemi udhëzuar ushtarët të bëjnë gjithçka që është e nevojshme për të mbrojtur veten, për të mbrojtur territorin tonë dhe për të mbrojtur qytetarët tanë”, shtoi ai.
Deklarata e kryeministrit izraelit erdhi pas një takimi me Këshillin e Paqes të ngritur nga presidenti amerikan Donald Trump, i cili po ndërmjetëson për zbatimin e fazës së dytë të planit për armëpushim në Gaza.
Sipas burimeve izraelite, ushtria do të vijojë të mbajë pozicionet që kontrollon aktualisht në Rripin e Gazës dhe nuk do të tërhiqet derisa të përfundojë procesi i çarmatimit të Hamasit.
Ndërkohë, Hamasi është shprehur i gatshëm të pranojë propozimin e paraqitur nga Donald Trump, i cili parashikon ndërprerjen e luftimeve nga të dyja palët, çarmatimin e grupit palestinez dhe tërheqjen graduale të forcave izraelite nga territori i Gazës.
Në të njëjtën kohë, Netanyahu po përballet me presion politik në vend, teksa përgatitet për zgjedhjet parlamentare të tetorit. Aleatët e tij të krahut të djathtë kundërshtojnë marrëveshjen e propozuar dhe kërkojnë që ajo të hidhet poshtë përmes një votimi.





