E shtunë, 28 Nëntor 2026 Dielli i Dimrit deri në 15:00 Në vijim ora 15:00: Lajme Ora 15:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Bota

Bentley luksoz dhe 374 kg kokainë me vlerë 30 milionë paund, kush është shqiptari Elvis Mula i dënuar me 14 vite burg në Britani?

Një shtetas shqiptar, i identifikuar si Elvis Mula, është dënuar me mbi 14 vite burg në Britaninë e Madhe, pasi akuzohet se ishte pjesë e një grupi kriminal që tentoi të trafikonte 374 kilogramë kokainë, me vlerë rreth 30 milionë paund.

38-vjeçari, i cilësuar si drejtuesi i grupit, kishte organizuar operacionin për të tërhequr sasinë e drogës, e cila ishte hedhur në ujërat e ngushticës së Doverit nga një anije transporti.

Hetimet e Agjencisë Kombëtare të Krimit në Britani (NCA) zbuluan se Mula kishte ndjekur lëvizjet e ngarkesës me kokainë përpara se ajo të hidhej në det. Droga ishte paketuar në materiale të papërshkueshme nga uji dhe ishte pajisur me gjurmues për të lehtësuar gjetjen dhe tërheqjen e saj nga deti.

Për realizimin e operacionit, grupi kishte angazhuar edhe tre persona të tjerë: Leonard Steadman, 66 vjeç, Wayne Bath, 47 vjeç, dhe Cameron Weedon, 27 vjeç.

Reklamë

Dy skafistët Steadman dhe Bath kishin kryer më parë prova përgatitore, duke kaluar deri në 13 orë në ditë në det me një varkë peshkimi të quajtur “Duke IV”. Në ditën e operacionit, ata u nisën nga porti Queenborough, në ishullin Sheppey, për të tërhequr kokainën.

Por në bregdetin e Kentit i prisnin oficerët e Agjencisë Kombëtare të Krimit, të cilët kishin monitoruar aktivitetin e grupit. Të katër personat u arrestuan .

Makina luksoze dhe përqafimet para operacionit

Pamjet e publikuara nga autoritetet britanike tregojnë Elvis Mulën duke përqafuar dhe përshëndetur bashkëpunëtorët e tij pranë një automjeti luksoz Bentley të zi, përpara nisjes së operacionit për të marrë drogën.

Sipas raportimeve, 38-vjeçari kishte tërhequr më parë vëmendjen edhe për jetën luksoze, duke përdorur automjete të shtrenjta, mes tyre një Lamborghini blu, një Audi Q7 dhe Bentley-n që shfaqet në pamjet e publikuara.

Elvis Mula dhe Wayne Bath u dënuan me nga 14 vite e tre muaj burg, ndërsa Leonard Steadman u dënua me 13 vite e shtatë muaj. Cameron Weedon, u dënua me katër vite burg.

Në total, katër të dënuarit do të vuajnë mbi 46 vite burg.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.