Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur gjatë mesnatës në aksin rrugor Korçë–Maliq, pranë fshatit Vlocisht, ku një person ka humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i plagosur rëndë.
Sipas informacioneve paraprake, një automjet tip “Benz”, që drejtohej nga një i ri i cili udhëtonte i vetëm, ka dalë nga një rrugë rurale në aksin kryesor dhe është goditur nga pas nga një automjet tip “Audi”.
Si pasojë e përplasjes së fortë, automjeti “Benz” ka përfunduar në kanalin anësor të rrugës, pothuajse i përgjysmuar. Drejtuesi i tij, një i ri nga Korça, ka humbur jetën në vendngjarje.
Nga aksidenti është plagosur rëndë edhe një pasagjer i automjetit “Audi”, i cili është transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Korçës për të marrë ndihmë mjekësore.
Forcat e policisë ndodhen në vendngjarje dhe po kryejnë veprimet hetimore për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.





