Shkodra po shënon një sezon turistik me rezultate pozitive, ku numri i vizitorëve vendas dhe të huaj vijon të rritet.
Qyteti, së bashku me zonat përreth, po tërheq gjithnjë e më shumë turistë, të cilët zgjedhin ta vizitojnë për shkak të kombinimit të trashëgimisë kulturore, bukurive natyrore, kuzhinës tradicionale dhe mikpritjes.
Sipas të dhënave të sektorit të turizmit në Bashkinë Shkodër, numri i netëqëndrimeve ka shënuar një rritje prej rreth 15 deri në 20 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
“Sigurisht është kalaja e Shkodrës diamanti kryesor apo një nga sitet më të vizituara jo vetëm në Shkodër por në të gjithë Shqipërinë. Është një trend rritës edhe në Zogaj e Shirokë më liqenin dhe sportet ujore, gatimet ku mbizotëron tava e krapit, por edhe xhirot me varka, pra janë disa aktivitete të reja që rrisnin interesin turistik në zonë”, tha Renato Lumçi, drejtor i Turizmit, Bashkia Shkodër.
Sipas përfaqësuesve të Bashkisë Shkodër, zhvillimi i turizmit po shndërrohet në një nga shtyllat kryesore të ekonomisë lokale.
Rritja e kërkesës turistike po nxit edhe zgjerimin e ofertës, duke e konsoliduar Shkodrën si një destinacion të rëndësishëm në hartën turistike të vendit.





