Drejtori sportiv shqiptar, Igli Tare, ka rënë pre e një vjedhjeje gjatë një udhëtimi me tren në Itali.
Sipas Policisë së Shtetit italian, Tares iu vodh çanta nga vendi ku ishte vendosur bagazhi. Menjëherë pasi zbriti në stacionin Roma Termini, ai denoncoi ngjarjen pranë Policisë Hekurudhore të rajonit të Lazios.
Falë pamjeve të kamerave të sigurisë, efektivët arritën të identifikojnë autorin e dyshuar brenda pak minutash. Ai u lokalizua dhe u arrestua, ndërsa çanta iu kthye pronarit.
Policia italiane e cilësoi ndërhyrjen si një operacion të shpejtë dhe efikas, që bëri të mundur zbardhjen e menjëhershme të rastit dhe rikthimin e sendeve të vjedhura.





