Një 38-vjeçare britanike është gjetur e vrarë në zonën e Kipselit, në Athinë, ndërsa autoritetet greke kanë arrestuar një 26-vjeçar Sharif Ahmadzai, boksier profesionist, i cili është shapllur edhe kampion, i dyshuar si autor i krimit. Viktima, Elizabeth-Jane Ross, ishte zhdukur prej disa ditësh, ndërsa trupi i saj u gjet brenda një valixheje në një godinë të braktisur.
Hetimet morën një kthesë të re pasi pamjet e kamerave të sigurisë filmuan të dyshuarin duke tërhequr një valixhe të madhe të zezë në rrugët e Athinës. Sipas policisë, në valixhe ndodhej trupi i pajetë i 38-vjeçares. Rreth 13 minuta pasi hyri në godinën e braktisur, ai u pa duke u larguar pa valixhen.
Sipas mediave greke, 26-vjeçari kishte mbërritur në Greqi si refugjat në vitin 2016 dhe ishte bërë i njohur si boksier profesionist dhe për aktivitetet e tij humanitare. Një rol kyç në zbardhjen e ngjarjes dyshohet se luajti bashkëshortja e tij, e cila njoftoi autoritetet pasi dyshoi për lëvizjet e tij natën e krimit.
I arrestuari mohon akuzën për vrasje, duke pretenduar se e gjeti britaniken të pajetë në banesë. Megjithatë, sipas hetuesve, ai ka pranuar se transportoi trupin, përdori kartat bankare të viktimës për të tërhequr para dhe dërgoi mesazhe nga telefoni i saj, duke u shtirur si ajo për të fshehur krimin.
Ndaj 26-vjeçarit janë ngritur akuza për vrasje me paramendim, grabitje dhe shkelje të ligjit për armët. Autoritetet greke vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht motivin e kësaj ngjarjeje të rëndë.
/vizionplus.tv





