Nata në Ukrainë u shndërrua sërish në një skenë lufte, teksa një valë e fuqishme raketash balistike dhe dronësh rusë goditi Kievin dhe rajonet përreth. Bilanci është i rëndë. Të paktën 17 të vdekur, dhjetëra të plagosur dhe dëme të mëdha në ndërtesa e infrastrukturë.
Alarmet ajrore ranë për orë të tëra, ndërsa banorët u përpoqën të strehohen për tu shpëtuar goditjve. Edhe pas shpërthimeve, ekipet e emergjencës vazhduan kërkimet mes rrënojave, duke punuar nën rrezikun e sulmeve të reja.
Sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes, objektivat e operacionit ishin qendra transporti, logjistike dhe shpërndarjeje, të goditura me raketa precize dhe dronë me rreze të gjatë veprimi.
Forcat ajrore ukrainase thanë se arritën të neutralizonin shumicën e dronëve, por asnjë nga raketat balistike nuk u ndal. Sipas Kievit, kjo lidhet drejtpërdrejt me mungesën e sistemeve të avancuara të mbrojtjes ajrore, të cilat vendi i kërkon prej kohësh nga aleatët perëndimorë.
“Ndërprerësit e raketave balistike mund të kishin shpëtuar jetën e të vrarëve sot. Është shumë e rëndësishme që partnerët tanë të kuptojnë se vonesat në furnizimin e tyre, ose mungesa e gatishmërisë për të ofruar sisteme antibalistike, çojnë drejtpërdrejt në viktima dhe shkatërrime të tilla të tmerrshme”, tha Zelensky.
Sulmi vjen në një moment kur Rusia ka shtuar ndjeshëm përdorimin e raketave balistike kundër Ukrainës, ndërsa mungesa e sistemeve të mbrojtjes ajrore po e bën gjithnjë e më të vështirë mbrojtjen e qyteteve dhe popullsisë civile.





