Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha akuzoi qeverinë se i dha 8.5 milionë euro kompanisë së Ermal Beqirit i cili është shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe akuzohet nga SPAK-u për “Konkurrencë të paligjshme”, “Heqje të paligjshme të lirisë”, “Shkelje të barazisë në tendera”, të kryera si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal. Në një konferencë me gazetarët, Berisha deklaroi se kompania e Ermal Beqirit, “Soft Solution” ka marrë këto ditë nga ministia e financave shumën prej 8.5 milionë euro, duke bërë përgjegjës Kryeministrin Edi Rama për kalimin e fondeve.
“Edi Rama urdhëroi dhe ministren e Financave t’i disbursojë 8.5 milionë euro për t’i dëshmuar Ermal Beqirit se nuk ka vepër penale, se nuk ka urdhër arresti, se nuk ka urdhër ekstradimi që mund të pengojë, mund të bllokojë rolin e tij si prestanome, si përfaqësues, si ndërmjetës i Edi Ramës në fushën e tij të suksesit, siç kishte shpallur ai AKSHI-n, kopshtin e tij privat”, tha Berisha.
Sipas Berishës, fakti që Ermal Beqiri I arrestuar në Francë vazhdon merr para nga qeveria shqiptare tregon se shteti dhe krimi janë bashkë
“Dënoj me forcën më të madhe këtë akt, si dhe mosbllokimin e kompanive të tij nga organet e drejtësisë, të cilat në një inerci bashkëpunimi, jo vetëm në këtë rast, por dhe në raste të tjera nuk kryejnë veprimet që urdhëron ligji. Kompania e Ermal Beqirit, që de fakto është prestanome i interesave të Edi Ramës dhe kompanisë Frangut, vazhdon të paguhet me miliona, miliona euro pavarësisht se prej 7 muajsh ai është në kërkim për disa vepra penale, përfshi grup i strukturuar kriminal”, shtoi Berisha.
Ermal Beqiri u arrestua pak ditë më parë në Francë, pasi u ndalua teksa udhëtonte me avion privat pranë një centrali bërthamor dhe ministria e Drejtësisë pritet ti përcjellë autoriteteve franceze dokumentacionin për ekstradimin e tij. Burime konfirmojnë se SPAK i ka kërkuar Ministrisë së Drejtësisë t’u dërgojë autoriteteve franceze kërkesën zyrtare për ekstradimin e biznesmenit.
Paralelisht me procedurën e ekstradimit, autoritetet franceze kanë nisur verifikimet dhe hetimet për pasuritë e Ermal Beqirit në Francë, me qëllim bllokimin dhe sekuestrimin e tyre.
Bëhet fjalë për llogari bankare me një vlerë totale prej më shumë se 2 milionë eurosh, dy apartamente, një kështjellë, me vlerë rreth 2.6 milionë euro, si dhe mjete motorike.





