Parlamenti miratoi sot pozicionin negociues të qeverisë shqiptare për Grupkapitullin e katërt, që përfshin mjedisin dhe energjinë.
Partia Demokratike nuk mori pjesë në votim, por kryetarja e Komisionit të Integrimit, Jorida Tabaku, shfrytëzoi këtë mbledhje për të denoncuar procesin e 11 majit, pasi zgjedhjet janë një prej kritereve që janë pjesë e Grupkapitullit të parë.
“Nuk mund të injorojmë faktin që sapo kemi dalë nga një proces zgjedhor me probleme të thella. Ky është kapitulli themelor, ai i zgjedhjeve dhe sundimit të ligjit. Dhe për fat të keq, testi demokratik dështoi”, tha Tabaku.
“Kemi mjaftueshëm tribuna për të bërë komentet tona politike jashtë këtij komisioni, ku mund të shpalosim opinionet tona politike, që nga zgjedhjet dhe rezultati i tyre spektakolar”, tha Mimi Kodheli, anëtare e Komisionit të Integrimit.
Procesi i negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian parashikon bisedime mes Tiranës dhe Brukselit zyrtar për 33 kapituj, të përfshirë në 6 grupe, ku çdo aspekt i shtetit dhe shoqërisë, nga zgjedhjet te sistemi i drejtësisë, nga bujqësia te mjedisi, nga biznesi te energjia, i nënshtrohet vetingut për të qenë në të njëjtin standard me Bashkimin Evropian. Deri më tani, Shqipëria ka hapur negociatat për 5 grupkapituj dhe i ka mbetur vetëm një grupkapitull për të çelur plotësisht bisedimet me BE-në./vizionplus.tv