Kryeministri Edi Rama mbajti një fjalim para mbledhjes së qeverisë, të cilin e cilësoi si një moment reflektimi pas zhvillimeve të muajit qershor.
Pas transmetimit të një videoje që ai e quajti “reflektim për bulevardin e flamingove”, Rama tha se kishte sjellë para të pranishmëve dy dokumente. Sipas tij, dokumenti i parë është strategjik dhe lidhet me kthesën që duhet të garantojë mandati i katërt qeverisës, ndërsa i dyti është një aneks që përcakton mënyrën se si Partia Socialiste duhet ta mbështesë këtë kthesë.
Në fjalën e tij, kryeministri u ndal te protestat e zhvilluara gjatë muajit qershor, duke treguar një episod me një kryetar bashkie që ishte ankuar për reagimin e qytetarëve, pavarësisht investimeve të kryera në zonën e tyre.
Rama tha se perceptimi se qytetarët janë “mosmirënjohës” është i gabuar dhe se protesta duhet parë ndryshe.
Rama:
Sot dua t’ju flas për çfarë pamë dhe çfarë dëgjuam gjatë muajit qershor. Kur bulevardi u mbush nga njerëz, nga të gjitha rrugët e jetës, kategoritë shoqërore, moshat, dhe kur një shpend i rrallë u bë simbol i vëmendjes më të madhe globale që Shqipëria ka përjetuar ndonjëherë.
Veç videove që sapo patë, kam sjellë me vete 2 dokumente. Janë 2 dokumente që mishërojnë reflektimin tim para pasqyrës së bulevardit të flamingove dhe janë të hapura për t’u lexuar, analizuar, ndryshuar, që ta përmbushin qëllimin e tyre.
Një dokument strategjik për kthesën që duhet të garantojë mandatin e katërt. I dyti është një aneks për mënyrën se si PS duhet ta mbështesë kthesën e mandatit të katërt.
Po e nis me një episod që mund ta keni dëgjuar. Në një nga ditët e qershorit, një kryetar bashkie, që i rri në kokë punës, më erdhi shumë i acaruar me një grup qytetarësh që i kishin dalë në protestë për një problem në lagjen e tyre.
“I kam gjetur në lumë”, tha. “Nuk kishin rrugë, nuk kishin trotuare, për ndriçim nuk bëhej fjalë. I bëra me rrugë”, tha, “me trotuare, me drita, me pemë. U bëra kopsht, u vura dhe stola, por janë mosmirënjohës.”
Ai jemi ne të gjithë, sepse secilit prej nesh i ka shkuar qoftë edhe njëherë ndër mend ajo fjalë e keqe, kur i ka ardhur shpirti në majë të hundës në marrëdhënien e punës me popullin.
Kam menduar që janë mosmirënjohës. Kjo fjalë është pikënisja e perspektivës së re që na duhet. Pikërisht në përmbajtjen e saj gjendet kuptimi më i gabuar i fazës së re ku ka hyrë Shqipëria.
Prandaj dua t’ua them unë që në fillim, duke shfrytëzuar këtë rast, drejt e në sy kryetarit të bashkisë dhe atyre që dolën në bulevard në fund të qershorit: ju nuk jeni mosmirënjohës, ju jeni matësi i ri i standardeve tona.
Ju atje në bashki nuk protestuat kundër bashkiakut. Ju që mbushët bulevardin dhe rrjetet sociale nuk protestuat kundër Shqipërisë që ne ndërtuam.
Ata nuk dolën në Bulevardin e Flamingove për të mohuar transformimin e Shqipërisë, për t’iu bashkuar këngës “Rama, jep dorëheqjen”. Ata që votuan për ne dolën dhe u bashkuan me të tjerët, sepse forca e saj ishte më imponuese për ta sesa figura ime.
Ata të administratës dolën, edhe ata, sepse Shqipëria e re që ne kemi ndërtuar nuk jeton me hijen e të vjetrës, ku njerëzit flakeshin nga puna me farë e me fis e shtetit pse shkonin në një takim të opozitës.
Ata qytetarë i çoi një nevojë e thellë në protestë, një nevojë e brendshme për të përcjellë një mesazh më të fortë se përkatësia ndaj një partie. Shija kontaminuese e lirisë së asaj proteste dhe nevoja për t’u bashkuar me atë rrjedhë njerëzish të Tiranës, duke ushqyer celularët me energji instagramike, energji e mahnitshme, ishin më të fuqishme se gjithë arsenali ynë i fakteve lidhur me projektin e Zvërnecit.
Prandaj mësimi i parë është që faktet tona nuk mjaftojnë më. Sepse në Shqipërinë që ne transformuam rrënjësisht, njerëzit nuk jetojnë më me kënaqësinë e gjërave që ndërtohen, siç ndodhte deri dje.
Ata sot jetojnë me pritshmëri që rriten më shpejt sesa mundësitë tona për t’u përgjigjur.
Ata e përjetojnë zhvillimin si tension mes asaj që shohin dhe dëgjojnë dhe asaj që kanë. Herë si burim pikëpyetjesh dhe, shpeshherë, si ndjenjë pasigurie.
Me fjalë të tjera, shokë dhe shoqe, nuk mjafton më ta qeverisim të tashmen me investime, rritje, integrime, por duhet ta qeverisim në harmoni me përvojën e qytetarit të sotëm.
Zemrat dhe mendjet e shqiptarëve nuk janë më te çfarë ndryshon në territor dhe nuk kanë më lidhje me statistikat ekonomike; janë ankoruar te pritshmëritë e tyre.
/vizionplus.tv





