Policia ka vijuar hetimet për zbardhjen e aksidentit të rëndë të ndodhur në autostradën “Durrës-Tiranë”, ku humbi jetën një 74-vjeçare.
Si rezultat i veprimeve hetimore, është identifikuar dhe arrestuar drejtuesi i dyshuar i automjetit që përplasi për vdekje shtetasen M. T., 74 vjeçe. Në pranga ka rënë 65-vjeçari Xhelal Muka., banues në Durrës.
Gjithashtu është arrestuar edhe djali i tij, 32-vjeçari Benard Muka, i cili ndodhej pasagjer në automjet në momentin e aksidentit.
Sipas policisë, të dy dyshohet se janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes pas përplasjes, pa i dhënë ndihmë 74-vjeçares dhe pa njoftuar autoritetet.
Nga hetimet rezulton se 32-vjeçari dyshohet se ka fshehur automjetin tip “Mercedes Benz” të përfshirë në aksident dhe më pas e ka riparuar, me qëllim pengimin e zbulimit të së vërtetës.
Automjeti është gjetur dhe është sekuestruar nga autoritetet.
Aksidenti ka ndodhur rreth orës 04:10 të datës 23 korrik 2026 në autostradën “Durrës-Tiranë”, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.
/vizionplus.tv





