Zjarri masiv mes fshatit Lekas dhe Voskopojës është riaktivizuar në ditën e tretë të tij, duke marrë përmasa të mëdha dhe duke u përhapur në zonën pyjore të mbuluar me pisha.
Edhe pse më herët autoritetet njoftuan se vatrat e zjarrit ishin neutralizuar, flakët janë rikthyer dhe situata në terren vijon të mbetet problematike. Era e fortë po favorizon përhapjen e zjarrit, i cili ka përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore.
Aktualisht pritet ndërhyrja e forcave të ushtrisë për t’iu bashkuar operacionit të shuarjes së flakëve, ndërsa ekipet e emergjencës dhe zjarrfikësit vijojnë përpjekjet në terren për izolimin e vatrave aktive.
Zjarri, që prej tre ditësh po kërcënon pasurinë pyjore të zonës, tashmë ka depërtuar në pyllin me pisha, duke e bërë më të vështirë kontrollin dhe shuarjen e tij.
Autoritetet pritet të dalin me një bilanc më të plotë për sipërfaqen e prekur nga zjarri dhe dëmet e shkaktuara nga flakët.





