Kryeministri Edi Rama ka kërkuar reflektim nga socialistët dhe qeveria përballë pritshmërive të qytetarëve, duke e cilësuar “Bulevardin e Flamingove” (protestën qytetare e cila vijon prej më shumë se 50 ditësh) si një mesazh që duhet analizuar dhe jo thjesht si një protestë.
Në fjalimin e mbajtur pas mbledhjes së përbashkët të qeverisë dhe grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Rama tha se ky moment duhet të shërbejë për të verifikuar nëse mazhoranca është e gatshme të qeverisë Shqipërinë në fazën e re.
“Bulevardi i flamingove duhet parë jo si një protestë por si një pasqyrë që shoqëria na i vuri përpara. Duhet të verifikojmë nëse e kemi mendjen dhe zemrën në vendin e duhur për të qeverisur Shqipërinë gjatë kësaj faze të re. Duhet ta kuptojmë ne të parët në të gjithë përmasat e saj. Unë vetë në pasqyrën e bulevardit të flamingove pashë mbylljen e një epoke dhe fillimin e një tjetre. Epoka e re është epoka e pritshmërive. Çasti më i rrezikshëm për një qeveri vjen kur ajo ka nisur t’i ndryshojë gjërat. Shembujt e ndryshimit që ne kemi sjellë në këtë vend janë të panumurt”, tha Rama.
Rama tha se rreziku më i madh për një qeveri vjen pikërisht në momentin kur ajo ka nisur të sjellë ndryshime dhe theksoi se ndryshimet që ka bërë PS-ja janë të dukshme.
Rama solli si shembuj Reformën në Drejtësi dhe digjitalizimin e shërbimeve publike, duke argumentuar se këto kanë sjellë ndryshime të rëndësishme në vend. Ai deklaroi se për herë të parë një zyrtar i lartë është hetuar dhe gjykuar në mënyrë të pavarur, ndërsa korrupsioni nuk shihet më si një realitet i pandryshueshëm.
Kreu i qeverisë u ndal edhe te shërbimet publike, duke përmendur kalimin e shumicës së tyre online dhe lehtësimin e procedurave për qytetarët. Megjithatë, ai pranoi se vetëm investimet dhe reformat nuk mjaftojnë për të ruajtur besimin e qytetarëve.
“Për 100 e kusur vjet në Shqipëri nuk ishte hetuar dhe aq më pak gjykuar në mënyrë të pavarur, një zyrtar i lartë. 100 e ca vjet, asnjë. Ndërsa korrupsioni ishte pranuar nga të gjithë si të ishte fataliteti i një fatkeqësie kronike natyrore. Më kujtohet se kur njerëzit e mbështesin edhe me të dyja duart Reformën në Drejtësi, sërish pyetjes nëse e besonin se ata do të shihnin një ditë zyrtarë të lartë para drejtësië i përgjigjeshin “jo”. Reforma jonë në drejtësi e ngriti luftën kundër korrupsionit në një nivel tjetër. Për 30 vjet shqiptarët ndenjën në radha kilometrike për të marë shërbimet më elementare, duke pritur në shi, diell, një dokument të rëndomtë, duke u shtyrë për të paguar dritat që mezi vinin.
Apo duke ardhur nga jashtë për të kaluar gjysmën e pushimeve nëpër sportele, që ngjanin si ato dyert e urbanin kur futet gjithë dynjaja në kohën kur akoma ishin turnet e kombinatit të tekstileve. Por e kishin pranuar atë realitet. Sot 95% e shërbimeve publike merren nga celulari falas. Gjithçka mund t’i numërojmë asaj për punët e panumërta që ne kemi bërë për shëndetësinë janë fakte si drita e diellit. Të gjitha ndryshimet që kemi bërë për shëndetësinë do mbeten aty. Fakt i pamohueshëm. Por ne nuk do jemi më këtu nëse vazhdojmë besojmë se mjaftojnë investimet që njerëzit të vazhdojnë të investojnë besimin e tyre te ne. Pa ndryshuar diçka domethënëse në cilësinë e përvojës së tyre me shtetin”, tha Rama.





