Një incident serioz është regjistruar në Poloni, ku shtatë dronë dhe mbetje të një rakete të paidentifikuar u zbuluan në territorin e saj pas një serie shkeljesh të hapësirës ajrore nga drejtimi i Ukrainës. Autoritetet polake raportuan se një banesë dhe një automjet në lindje të vendit kanë pësuar dëme materiale nga rrëzimi i dronëve gjatë natës. Ngjarja ka alarmuar jo vetëm qeverinë polake, por edhe strukturat e NATO-s.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e cilësoi shkeljen si “absolutisht të papërgjegjshme dhe të rrezikshme”, duke theksuar se pavarësisht nëse ishte e qëllimshme apo jo, përbën një kërcënim serioz. Ai dërgoi një mesazh të drejtpërdrejtë për presidentin rus Vladimir Putin: “Ndalo luftën në Ukrainë, ndalo shkeljen e hapësirës ajrore të aleatëve. Jemi të gatshëm dhe do mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s.”
Nga ana e tij, Kremlini ka mohuar çdo përfshirje, duke u shprehur përmes zëdhënësit Dmitry Peskov se nuk është përgjegjës për incidentin dhe se nuk ka marrë asnjë kërkesë zyrtare për komunikim nga Polonia. Ai akuzoi Bashkimin Evropian dhe NATO-n për deklarata të pabazuara dhe provokuese kundër Rusisë, ndërsa Ministria e Mbrojtjes ruse nuk ka bërë ende asnjë koment zyrtar.
Përballë situatës së krijuar, kryeministri polak Donald Tusk deklaroi se Polonia do të kërkojë aktivizimin e nenit 4 të Traktatit të NATO-s, i cili parashikon thirrjen e konsultimeve të jashtëzakonshme nëse një vend anëtar ndjen se rrezikohet siguria apo integriteti i tij territorial. Sipas Tusk, janë regjistruar gjithsej 19 shkelje të hapësirës ajrore polake nga dronë të dyshuar rusë. Kjo do të ishte vetëm hera e tetë në historinë e NATO-s që aktivizohet ky nen, hera e fundit ishte në vitin 2022 pas fillimit të pushtimit rus në Ukrainë.
/vizionplus.tv





