Policia e Lezhës ka finalizuar operacionin e koduar “Lightning” dhe ka zbuluar në fshatin Velë, 5 ambiente të mbyllura dhe të hapura, për kultivim të bimëve narkotike.
Në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar dy persona M. F. (pronari i banesës), 39 vjeç, banues në fshatin Velë, dhe A. M., 27 vjeç, banues në Ishull Shëngjin.
Ndërsa janë proceduar penalisht 4 punonjës të OShEE-së për veprat “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv”.
Gjatë ndërhyrjes u konstatua se në njërin ambient të banesës, ishin kultivuar me llamba dhe pajisje të tjera që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, 119 bimë të dyshuara narkotike, ndërsa 2 ambiente të tjera të së njëjtës banesë ishin përgatitur për të njëjtin qëllim kriminal.
Ndërkaq, si rezultat i kontrolleve të mëtejshme, u konstatuan në afërsi të kësaj banese, 2 parcela, në të cilat ishin kultivuar 55 bimë narkotike Cannabis Sativa, dyshohet nga 2 të arrestuarit.
Në vijim u krye kontroll dhe në banesën e 27-vjeçarit, ku u gjetën 16 celularë. Vijojnë hetimet për të sqaruar mënyrën e sigurimit dhe qëllimin e përdorimit të tyre.
Policia sekuestroi 2 armë gjahu që mbanin autorët, pajisje që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike dhe i shërbenin kultivimit të bimëve narkotike në ambiente të mbyllura, një sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, 1 automjet dhe 18 celularë.
Hetimet vijojnë edhe për identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.





