Drita jeshile nga Brukseli për mbylljen e tre kapitujve të parë në procesin e anëtarësimit është sinjal shumë pozitiv për Shqipërinë, theksojnë ekspertët.
Për Vizion Plus, drejtori ekzekutiv i Lëvizjes Europiane, Gledis Gjipali, shprehet se ky moment tregon se Bashkimi Europian vlerëson “detyrat e shtëpisë” të bëra nga vendi ynë.
“Është pozitive. Tregon që Shqipëria ka ecuri të mirë, pavarësisht se këto janë kapitujt më të lehtë dhe në përgjithësi janë ata që mbyllen të parët, por është një sinjal politik i rëndësishëm nga Bashkimi Europian që i thotë Shqipërisë: ‘Ne jemi gati, i mbyllëm kapitujt’ në momentin që ju bëni detyrat tuaja”, Gledis Gjipali, drejtor ekzekutiv i Lëvizjes Europiane.
Por muajt në vijim nuk do të jenë aspak të lehtë për vendin tonë, pasi duhet të mbyllen të paktën 10 kapituj, në mënyrë që të kapen objektivat e vendosura nga qeveria dhe Unioni për mbylljen e kapitujve deri në vitin 2027.
“Muajt në vazhdim, pra deri në dhjetor të këtij viti, do të jenë edhe lakmuesi i shpejtësisë dhe cilësisë së procesit të Bashkimit Europian. Nëse ne arrijmë këtë objektiv, është i mundshëm edhe objektivi i vitit 2027. Nëse ne nuk e arrijmë këtë objektiv të këtyre 10 kapitujve, atëherë do të jetë i vështirë që të gjitha këto reforma të bëhen brenda një periudhe kaq të shkurtër.”
Ndërkohë, janë ende disa sektorë ku Shqipëria ka vështirësi, pasi kërkojnë reforma për të cilat vendi ynë nuk është ende gati.
“Po tani ne hyjmë në kapitujt e vështirë. Do të shtoja mbrojtjen e konsumatorit, konkurrencën, tregun e brendshëm, zhvillimin rural që ka të bëjë drejtpërdrejt me bujqësinë, me instrumentet financiare në zhvillimin e bujqësisë, pasi siç e dimë, aktualisht kemi ende probleme me fondet e IPARD-it, pasi ende nuk janë marrë masat e duhura për të arritur që të zhbllokohet ky program. Pra, hyjmë në kapitujt që kërkojnë shumë kapacitete administrative dhe këtu Shqipëria çalon, sepse nuk ka punuar si duhet ndër vite për të forcuar këto kapacitete. Fokusi ka qenë tek institucionet qendrore.”
Kryeministri Edi Rama më herët ka deklaruar se agjenda europiane është e dakordësuar me BE-në dhe parashikimet janë që brenda dekadës, vendet anëtare të ratifikojnë në parlamentet e tyre aderimin e Shqipërisë në Union.
/vizionplus.tv





