A do të ulë çmimet e ushqimeve paketa e re fiskale? Tomorri: Me njërën dorë t’i jep, me tjetrën do na i marrë

Qeveria ka prezantuar paketën e re fiskale, ku një nga pikat kryesore është ulja e TVSH-së për produktet e shportës së ushqimeve nga 20% në 6%.
Por a do të sjellë kjo uljen e çmimeve të ushqimeve? Kjo ishte një tjetër pyetje që u diskutua në emisionin “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus, të Ylli Rakipit.
I ftuar në studio, gazetari i ekonomisë Klodian Tomorri theksoi se kjo paketë, në pamje të parë, duket sikur ul çmimet e ushqimeve, por në të vërtetë nuk ndryshon gjë, pasi është rritur TVSH-ja për produktet e tjera.
Pjesë nga biseda:
Tomorri: Brenda ka katër ndryshime. Qeveria ka ulur TVSH-në për ushqimet bazë. Sipas paketës, nga 1 janari 2027, TVSH-ja për ushqimet do të jetë 6%.
Hoxha: Ato që janë në pragun jetik.
Tomorri: Por çfarë ndodh? Kjo është lehtësim, sepse ulja e taksave sjell uljen e çmimeve të ushqimeve. Ajo nuk përkthehet asnjëherë në treg. Buxheti këtu ka hequr dorë dhe ka ulur taksat.
Por çfarë ndodh? Ulja e taksave për shportën e ushqimeve kompensohet me rritjen e TVSH-së për çdo produkt tjetër, e cila nga 1 janari shkon në 21%. Pra, kjo është: jep me një dorë, merr me dorën tjetër.
Ndryshimi tjetër që bëhet në TVSH është rritja e saj për sektorin e turizmit me 4 pikë përqindjeje.
Ndryshimi tjetër është ulja e pragut nga i cili fillon të paguhet TVSH-ja. Bizneset në Shqipëri paguajnë TVSH nëse kanë një xhiro vjetore më të madhe se 10 milionë lekë, ndërsa nga 1 janari i vitit të ardhshëm do të paguajë çdo biznes me xhiro mbi 5 milionë lekë.
Kush e merr goditjen më të madhe këtu? Ata që ushtrojnë profesione të lira, personat fizikë, ata që kanë një NIPT. Mund të jenë mjekë, avokatë, berberë, gazetarë, pra çdo kategori që ofron shërbime.




