A do të tërhiqet qeveria nga paketa fiskale? Tomorri: Ja cili është qëllimi i Ramës

Gazetari i ekonomisë, Klodian Tomorri, i ftuar në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” të Ylli Rakipit në Vizion Plus, ka komentuar paketën e re fiskale të qeverisë.
I pyetur nga moderatori Rakipi nëse qeveria do të bëjë hapa pas, Tomorri tha se qëllimi i Ramës është që, duke mbledhur më shumë taksa nga biznesi, të bëjë rishpërndarjen e të ardhurave për arsimin, shëndetësinë, banesat sociale dhe pensionet, duke e paraqitur këtë si një politikë të rishpërndarjes së të ardhurave.
Pjesë nga biseda:
Rakipi: A do të tërhiqet Rama nga paketa fiskale?
Tomorri: Rama e ka paraqitur këtë paketë për një arsye të thjeshtë: ai do ta shesë si një lëvizje sociale. Pra, do të thotë se po lehtëson shtresat e varfra, duke ulur barrën tatimore mbi ushqimet, dhe po takson më fort biznesin. Kështu do ta shesë ai.
Cili është qëllimi tjetër? Buxheti nuk është aq i pasur me para. Qëllimi tjetër është që, për shkak të presioneve të mëdha që i kanë ardhur nga shëndetësia dhe arsimi, unë mendoj se ai do të rrisë shpenzimet për arsimin, shëndetësinë, pensionet dhe banesat sociale. I duhen më shumë para.
Po ta shikosh edhe reagimin e tij, ai thotë se do të bëjmë rishpërndarje. Kjo është arsyeja pse ai ka paraqitur këtë paketë. Unë mendoj se qeveria nuk do të tërhiqet.




