Leku po forcohet, ndërsa euro po vijon trajektoren rënëse. Monedha europiane ka prekur nivelin më të ulët historik përballë asaj vendase, duke u këmbyer me rreth 92 lekë.
Të dhënat nga agjencitë e këmbimit valutor në vend konfirmojnë rënien e mëtejshme të euros.
Dobësimi i vazhdueshëm i saj lidhet kryesisht me flukset e larta të valutës që hyjnë në vend, të nxitura nga sektori i turizmit, por edhe nga remitancat e emigrantëve.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, të ardhurat nga turizmi gjatë vitit të kaluar arritën në rreth 6 miliardë euro, ndërsa remitancat e emigrantëve kapën rreth 1.1 miliardë euro.
Ndërkohë, Banka e Shqipërisë ka theksuar se forcimi i lekut përballë euros ka ndikuar në stabilitetin e çmimeve. Pa efektin e kursit të këmbimit, inflacioni do të ishte në nivele më të larta, duke shkuar nga rreth 3.2% aktualisht në 7 deri në 8%.
Një tjetër faktor që ndikon në kursin e këmbimit është edhe struktura e tregtisë së jashtme, pasi Shqipëria importon më shumë mallra sesa eksporton. Megjithatë, flukset e larta të valutës nga turizmi dhe remitancat kanë rritur ofertën e euros në treg, duke ushtruar presion për zhvlerësimin e saj përballë lekut.





