Dhoma e Përfaqësuesve e Shteteve të Bashkuara miratoi të martën një projektligj që parashikon vendosjen e orës verore si të përhershme, me 308 vota pro dhe 117 kundër, duke dëshmuar mbështetje dypartiake, megjithëse nuk munguan edhe kundërshtimet.
Republikani Scott DesJarlais, i cili drejtoi seancën e votimit, shënoi momentin final duke luajtur në telefonin e tij një fragment nga kënga e Beatles “Here Comes the Sun”, raportoi BBC.
Debati për heqjen e ndryshimit të orës dy herë në vit ka marrë mbështetje ndër vite si nga republikanët ashtu edhe nga demokratët. Presidenti Donald Trump është zotuar se do t’i japë fund kësaj praktike pas rikthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë.
Shtetet e Bashkuara e aplikojnë orën verore që nga Lufta e Parë Botërore, me synimin për të shfrytëzuar më mirë dritën e ditës dhe për të kursyer energjinë. Praktika u ndërpre pas luftës për shkak të kundërshtimeve, veçanërisht nga fermerët, por u rikthye gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Në vitin 1966 u miratua një ligj që standardizoi ndryshimin e orës në të gjithë vendin, megjithëse disa shtete, si Hawaii dhe Arizona, si edhe territoret amerikane të Porto Rikos dhe Ishujve të Virgjër, nuk e zbatojnë atë.
Në një postim në rrjetet sociale në muajin maj, Trump deklaroi se është koha që qytetarët të mos shqetësohen më për ndryshimin e orës, duke e cilësuar procesin si të panevojshëm dhe me kosto të lartë. Ai shtoi se heqja e kësaj praktike do të ishte një fitore edhe për Partinë Republikane.
/vizionplus.tv





