Pikat kufitare me Greqinë, të cilat kanë qenë të mbyllura për shkak të grevës së doganierëve janë rihapur mëngjesin e kësaj të enjteje. Por me rikthimin e shërbimit në anën tonë të kufirit në Kapshticë janë krijuar radhë kilometrike të kamionëve, të cilët kërkojnë të kalojnë në anën tjetër të kufirit.
“Radhe të gjata kamionësh në Kapshticë, për dy arsye: e para sepse të gjitha mjetet e tonazhit të rëndë janë të detyruar të kalojnë n procesin e skanimit, dhe e dyta ka vetëm një korsi kalimi për to”, thotë gazetari Tonin Frroku.
Fluks të shtuar ditën e sotme pritet të ketë edhe për mjetet e tjera, pasi shumë prej qytetarëve që duan të kalojnë në anën tjetër, thonë se kanë orë të tëra që presin në radhë.
“Unë jam nisur nga ora 4 mëngjesit, radha këtu ishte deri poshtë. Unë kam tre ore që pres, por ka dhe nga dje që presin në radhë. Mendoj se tani do kaloj nga pasditja”, shprehet një qytetar.
“Kemi rreth një orë që presim, radha është bërë se Greqia ka dy ditë që s’punon. janë edhe autobusët që bëjnë skanër, të gjithë janë në një korsi dhe ne jemi të detyruar të presim”, thotë një tjetër.
Ndërkohë në pikën tjetër kufitare me Greqinë, atë të Kakavijës, radha e kamionëve ka arritur deri në 1 kilometër. /vizionplus.tv





