Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Porosia”, duke goditur një rast të tentativës për shitjen e lëndëve plasëse dhe municioneve luftarake.
Në kuadër të operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi P. Ç., 52 vjeç, banues në Fushë-Krujë, me precedent të mëparshëm penal në fushën e narkotikëve.
Sipas Policisë, 52-vjeçari u kap në rrugën “Kastriotët”, teksa transportonte lëndë plasëse dhe granata luftarake me qëllim shitjen e tyre.
View this post on Instagram
Gjatë kontrollit të çantës që mbante me vete, shërbimet e Policisë sekuestruan 2 granata dore luftarake, 2 ndezës unifikues granatash, 600 gramë lëndë plasëse (tritol), një pjesë e së cilës ishte e pajisur me 2 fitila dhe 2 kapsolla detonatore gati për shpërthim, si dhe 6 kapsolla detonatore.
Operacioni u zhvillua nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale dhe Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.
/vizionplus.tv





