Lideri demokrat Sali Berisha, pas paraqitjes në SPAK, hodhi akuza ndaj Gjykatës Kushtetuese, që sipas tij qëllimisht nuk ka marrë në shqyrtim masën e tij të sigurisë.
“Sa kohë që e kam dërguar, thoni ju? E kam dërguar para 10 muajve. Ajo gjykatë që është notere e turpshme e akteve kriminale të qeverisë shqiptare, ajo gjykatë që shqyrton brenda një muaji kërkesën e Lubi Ballukut, që shqyrton brenda dy muajve kërkesën e Erion Veliajt, që ka detyrim ligjor që masat e sigurisë t’i shqyrtojë në afat maksimumi tremujor, shtyn shqyrtimin e kërkesës time për në tetor. Domethënë shtyn me pothuajse 11 muaj, tre herë afati ligjor”, tha Berisha.
Nga ana tjetër ai komentoi thirrjen si dëshmitar të ish-presidentit, Bamir Topi në procesin Partizani dhe të ashtuquajturin “Takimi i Arubës”.
“Saktësisht pse është thirrur Bamir Topi, e dinë ata që e kanë thirrur. Prokurori ose gjykatësi. Në hamendjen time, ai është thirrur sepse ka qenë President i Republikës, në mos gaboj, dhe natyrisht do ta pyesin si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura çfarë dinte ai për sigurinë në atë kohë, dhe për të gjithë atë gjendje. Se çfarë do të thotë, nuk e marr me mend, por të thotë atë që do”, tha Berisha.
Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi, dhëndri i tij i bashkëpandehur në këtë proces me dy biznesmenë e një notere, dyshohet se kanë kryer korrupsion.
Nga ana tjetër, dhëndri akuzohet se ka bërë edhe pastrim parash si pasojë e privatizimit të trojeve të ish-Kompleksit Sportiv Partizani. SPAK thotë se kjo vendimmarrje i atribuohet Sali Berishës kur shërbente si kryeministër i vendit.





