Partia Demokratike e Kosovës ka vazhduar për të shtatën ditë radhazi aksionin para selisë së Qeverisë së Kosovës, duke bllokuar hyrjen në shenjë proteste për mos thirrjen e seancës konstituive të Kuvendit.
Aksionit të PDK-së iu bashkuan edhe deputetë të Aleancës, si dhe asamblistë të PDK-së nga Komuna e Lipjanit.
Përmes këtij aksioni, PDK-ja dhe Aleanca kërkojnë t’i jepet fund bllokimit institucional.
Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, tha se qëllimi i aksionit është ndërgjegjësimi qytetar dhe politik për atë që ai i cilësoi si shkelje kushtetuese.
Ai kritikoi gjithashtu përbërjen e kabinetit qeveritar dhe pretendoi se disa prej anëtarëve të tij po ushtrojnë njëkohësisht funksionin e deputetit dhe atë të ministrit.
“Historia do të tregojë se një kabinet qeveritar i përbërë prej 21 anëtarëve, e prej tyre 17 njerëz janë betuar si deputetë, edhe 17 njerëzve nuk u vjen marre të shkojnë prej Kuvendit në ministri, të ushtrojnë funksione të dyfishta kundërligjshëm”, u shpreh Tahiri.
Nga ana tjetër, Vetëvendosje ka deklaruar se seanca nuk po thirret për shkak se ende nuk ka një marrëveshje politike mes partive për çështjen e presidentit.
Opozita kërkon që Kuvendi të nisë punën, në mënyrë që deputetët të mund të diskutojnë dhe të marrin vendime për problemet e qytetarëve dhe ekonominë.





