Një aksident i rëndë rrugor u regjistrua në orët e para të mëngjesit të 19 gushtit, në rrugën dytësore Manzë–Kullë, ku humbën jetën tre persona dhe dy të tjerë mbetën të plagosur.
Viktimat janë Kleo Vrioni, 25 vjeç, partnerja e tij, Sara Brugentelli, 26 vjeç, shtetase italiane, dhe Alvi Muhaxhiri, 15 vjeç. Dy persona të tjerë, 25 dhe 16 vjeç, mbetën të plagosur si pasojë e aksidentit.
Lexo edhe :
Mësohet se Kleo Vrioni dhe Sara Brugentelli ishin martuar vetëm tre ditë para aksidentit tragjik. Sipas mediave italiane, Sara jetonte në Zocco që prej vitit 2005, ndërsa kohët e fundit kalonte një pjesë të kohës në Ponte San Pietro, në provincën e Bergamos, ku jetonte edhe Kleo Vrioni.
25-vjeçari punonte si murator, ndërsa Sara kishte gjetur punë si shitëse në një dyqan me artikuj për kafshë.
Pas ngjarjes, familja e Sarës ka deklaruar se nuk ishte në dijeni të martesës së saj dhe po përpiqet të verifikojë rrethanat. Dyshohet se ceremonia mund të jetë zhvilluar në Shqipëri, në mënyrë private, por kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Ndërkohë, vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe dinamikën e aksidentit. Shpejtësia e lartë është një nga pistat kryesore të hetimit, por përfundimet pritet të përcaktohen pas ekspertizave teknike.
Familja e Sara Brugentellit po pret kthimin e trupit të saj në Itali, pasi të përfundojnë procedurat dhe verifikimet e nevojshme në Shqipëri. Ceremonia mortore pritet të zhvillohet në Zocco di Erbusco, por data ende nuk është përcaktuar.






