Flakët po kthehen në kërcënimin më të madh për Europën, ndërsa temperaturat ekstreme, thatësira dhe erërat e forta po krijojnë kushte ideale për përhapjen e zjarreve.
Në Spanjë situata më kritike është në zonën e La Mierla ku flakët kanë përfshirë më shumë se 26 mijë hektarë tokë, ndërsa mbi 1 mijë banorë janë evakuuar nga zonat e rrezikuara.
Situata pritet të vështirësohet më tej pasi për shkak të erës dhe temperaturave deri ne 44*C vatra të reja po shfaqen, duke vështirësuar izolimin e vatrave nga zjarrfikësit. Spanja është aktualisht vendi më i goditur nga zjarret në Bashkimin Evropian këtë vit, me më shumë se 104 mijë hektarë të shkrumbuar.
Edhe Franca po përballet me vatra të rrezikshme zjarresh. Në zonën e bregdetit të Mesdheut, një zjarr i fuqizuar nga erërat e forta ka djegur rreth 180 hektarë me pyje e shkurre, duke detyruar autoritetet të evakuojnë disa fshatra të vegjël. Në rajonin francez të Les Arcs, temperaturat kanë arritur 38°C, rreth 11 gradë mbi mesataren historike të korrikut.
Ndërkohë, vala e të nxehtit ka pushtuar edhe Italinë, ku temperaturat kanë kaluar kufirin e 40 gradëve në disa zona të jugut.
/vizionplus.tv





