Një shpërthim tritoli ndodhi në fshatin Xhafzotaj të Durrësit, ku objektiv ishte banesa e Altin Ballës, vëllait të Fadilit, i njohur edhe si Julian Balla. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale, kryesisht në portën e oborrit, ndërsa fatmirësisht nuk ka persona të lënduar.
Ngjarja u regjistrua të shtunën, por është bërë publike vetëm të hënën. Policia nuk ka identifikuar ende autorët dhe po heton në disa pista, mes tyre edhe mundësinë që shpërthimi të ketë qenë një mesazh kërcënues. Besohet se objektivi i vërtetë i sulmit ishte Fadil Balla, pasi banesa e tij ndodhet ngjitur me atë të vëllait.
Balla është shpallur në kërkim nga SPAK prej më shumë se një viti. Ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg”, në kuadër të operacionit kundër organizatës kriminale të drejtuar nga Franc Çopja dhe Ervis Çela.
Sipas SPAK, organizata besohet se ka trafikuar rreth 28 ton kokainë nga Amerika Latine drejt Europës në dy episode të ndryshme, ndërsa 17 tonë lëndë narkotike janë sekuestruar nga autoritetet. Kokaina sigurohej nga prodhues në Amerikën Latine, magazinohej në Paraguai, fshihej në ngarkesa tregtare dhe transportohej me rrugë detare drejt porteve të Belgjikës dhe Gjermanisë, për t’u shpërndarë më pas në tregun europian.
Fadil Balla, i njohur edhe si ish-president i klubit të futbollit Erzeni, rezulton pronar i kompleksit turistik “Ajman Park” në Xhafzotaj dhe i vilës dykatëshe “Elysian” në bregdetin e Dhërmiut.
Të dyja këto pasuri janë sekuestruar nga SPAK. Sipas hetimeve, Balla ka ushtruar aktivitet edhe në fushën e biznesit përmes një kompanie që ka përfituar tendera publikë.
/vizionplus.tv




