Një 58-vjeçar është gjetur i pajetë paraditen e sotme brenda një guve në fshatin Drizë, në bashkinë e Kuçovës.
Sipas burimeve, familjarët kishin denoncuar në polici zhdukjen e tij, pasi ishte larguar nga banesa dy ditë më parë dhe nuk ishte kthyer më. Ata kërkuan ndihmën e uniformave blu për lokalizimin e tij, duke bërë me dije se prej disa muajsh 58-vjeçari vuante nga probleme të shëndetit mendor.
Policia organizoi kërkime në zonën përreth guvës në fshatin Drizë, pasi disa banorë kishin deklaruar se e kishin parë të hynte në atë vend. Pas disa orësh kërkimesh, u bë e mundur gjetja e trupit të pajetë të 58-vjeçarit, Gramoz Grymshi.
Nga këqyrja paraprake, policia bën me dije se në trupin e viktimës nuk janë konstatuar shenja dhune. Dyshimet e para janë se ai ka humbur jetën si pasojë e mungesës së ajrit brenda guvës, ndërsa shkaku i saktë i vdekjes pritet të përcaktohet nga ekspertiza mjeko-ligjore.
Trupi i pajetë i Gramoz Grymshit, banues në fshatin Drizë të Kuçovës, është transportuar në morgun e Spitalit Rajonal të Beratit, ku do t’i nënshtrohet autopsisë mjeko-ligjore. Policia vijon veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.





