Dhjetëra studentë nga universitete të ndryshme ndërkombëtare janë bërë bashkë për t’u bërë pjesë e konkursit të interpretuesve “Ymer Skënderi”, një nga ngjarjet më të rëndësishme artistike që zhvillohet për herë të dytë në Universitetin e Arteve.
Në mesin e pjesëmarrësve janë emra të rinj premtues. Moritz Kocibelli dhe Stephan Gottschall kanë ardhur nga Gjermania për t’u bërë pjesë e garës duke i dhënë një dimension të veçantë kategorisë së instrumenteve frymore.
Për studentët, ky konkurs nuk është vetëm një garë, është një mundësi e artë për t’u integruar në skenën shqiptare, për të ndërtuar ura bashkëpunimi dhe për të hedhur hapa të sigurt drejt formimit si artistë profesionistë.
Konkursi “Ymer Skënderi” synon promovimin e talenteve të reja dhe forcimin e rolit të Universitetit të Arteve në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare. Ai po shndërrohet gradualisht në një traditë të re artistike, ku bashkohen kultura, stile interpretimi dhe vizione të ndryshme muzikore.
Nata Finale do të mbahet më 4 Mars, ora 19:00, në Sallën e Koncerteve të Universitetit të Arteve./vizionplus.tv





